Kryeministri Albin Kurti dhe Ambasadori Gjerman Jörn Rohde së bashku me Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Rozeta Hajdari dhe Kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka mirëpritën bizneset e para në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (ITP) në Prizren.
Grupi i parë i bizneseve, sot gjatë ceremonisë u mirëpritën në hapësirat e tyre të reja. Ky grup prej gjashtë bizneseve nga sektorë të ndryshem, siç janë industritë kreative dhe kulturore, automatizimi industrial, shërbimet gjuhësore dhe arsimi dhe trajnimet, tashmë kanë nënshkruar marrëveshjet e tyre të qirasë në ITP në Prizren.
Biznese të tjera do të bëhen pjesë e ITP-së gjatë javëve në vijim.
Kryeministri Kurti me këtë rast theksoi: “Jam jashtëzakonisht i lumtur të shoh këtë park, i cili për më shumë se dy dekada ishte një kamp ushtarak për trupat gjermane të KFOR-it, një vend nga i cili partnerët tanë gjermanë garantuan sigurinë tonë, tani është shndërruar në urë lidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare.
Ne do ta përkrahim dhe do ta ndihmojmë, që sa më shumë bashkatdhetarë nga diaspora të sjellin investime përmes kësaj pike të takimit. Si qeveri reformuese besojmë fuqishëm në mundësitë e shumëta dhe transformuese që i sjellë teknologjia.
Ne besojmë se dixhitalizimi është mjet me të cilin sidomos të rinjtë tanë mund të jenë pjesë e tregut global dhe pjesë e zhvillimit të qëndrueshëm këtu në Kosovë. Qeveria jonë e sheh ITP-në si një katalizator të rëndësishëm në modernizimin e ekonomisë së Kosovës. Ne jemi plotësisht të përkushtuar që ky projekt të jetë tregim i suksesit.”
Ambasadori Rohde nënvizoi: “Mbështetja gjermane për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës dhe posaçërisht për ITP-në në Prizren është e palëkundur. ITP është projekti ynë kryesor në bashkëpunimin bilateral të Gjermanisë dhe Kosovës. ITP ka një potencial të madh për të shërbyer gjithashtu si një destinacion për investime nga diaspora në Gjermani – qoftë në sektorin e TIK, në dixhitalizim, në përpunimin e produkteve ushqimore dhe bujqësore, industritë kreative ose edhe në sektorët tjerë relevant.”
Oferta e ITP-së për bizneset: ITP në Prizren ofron hapësirë për biznese dhe startup biznese, institucione të arsimit dhe trajnimit profesional, si dhe për aktivitete kërkimore dhe inovative. Përtej një strukture të shkëlqyeshme dhe patundshmërive, menaxhmenti gjerman i parkut ofron shërbime biznesi dhe këshillim, ndërsa siguron një mjedis të sigurtë dhe të qëndrueshëm investimesh. Një qendër dixhitale në ITP do të ofrojë shërbime për bizneset, hapësirat bashkëpunuese, programet e inkubacionit dhe përshpejtimit për të promovuar aktivitetet e ndërmarrësisë dhe për të krijuar ndërveprime të reja në mes të qiramarrësve në park.
Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ) është mandatuar nga të dy qeveritë për të menaxhuar dhe zhvilluar parkun.
Historiku: ITP në Prizren është një projekt i përbashkët kosovaro-gjerman që synon të krijojë një mjedis tërheqës biznesi për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Parku do të kontribuojë në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të Kosovës duke tërhequr investime dhe sjellur inovacion. Parku ndodhet në ish kampin ushtarak gjerman në Prizren, ka një hapësirë prej 40 hektarësh dhe përfshinë 56 ndërtesa dhe disa parcela për zhvillim të metutjeshëm.
Mirëpriten kompanitë e para në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren
Reference: Ekonomia Online