Kryeministri Ramush Haradinaj ka zhvilluar takim me delegacionin e lartë nga Qeveria e Gjermanisë, kryesuar nga Thomas Richard Silberhorn, Sekretar Shteti në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Maria Flachsbarth, Sekretare Shteti në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik.

Haradinaj, tha se kjo vizitë po bëhet në vigjilje të unifikimit të Gjermanisë dhe se kjo ditë përjetohet si festë edhe në Kosovë.

Haradinaj ka njoftuar se kampi ushtarak gjerman në Prizren nga sot shndërrohet në park inovativ.

“Ajo që e shënon ditën e sotme është fakti se prania ushtarake gjermane në Prizren kthehet dhe fillon si procedurë në një parku biznesi. Jemi optimist që do të jetë zhvillim i rëndësishëm i marrëdhënieve ekonomike Kosovë – Gjermani. Prania e ushtarëve gjerman në Prizren zëvendësohet me zhvillime ekonomike”, tha Haradinaj.

Thomas Richard Silberhorn, Sekretar Shteti në Ministrinë e Mbrojtjes, tha se aktiviteti i tyre ushtarak ishte i suksesshëm në Kosovë.

“20 vitet e fundit, 27 ushtarë të ushtrisë gjermane kanë dhënë jetën në Kosovë sikurse shumë familje kosovare ata janë sakrifikuar dhe sakrifica e tyre nuk ka shkuar dëm”, tha ai.

Edhe Maria Flachsbarth, Sekretare Shteti në Ministrinë për Bashkëpunim Ekonomik tha se dita e bashkimit të Gjermanisë bazohet në integrim evropian dhe në atë se çka kanë arritur së bashku këtu në Kosovë.

Sipas saj kjo është një ditë historike në të cilën e kalojnë kampin prej shfrytëzimit ushtarak në atë civil.

“Kam kënaqësi shumë të madhe që qeveria e Kosovës merr përsipër kampin ushtarak si park trajnues e inovativ. Kam kënaqësinë që dy qeveritë së bashku ta udhëheqin në këtë park trajnues. Ushtarët do të zhvendosen nga Prizreni në Prishtinë”, tha ajo.

Reference: Scaner Press

Tags