Sot në Prizren është inauguruar Parku Inovativ Trajnues.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti i cili tha se është i lumtur për inaugurimin e këtij parku, pavarësisht situatës me pandeminë.

Ai ka thënë se bashkëpunimi i Kosovës dhe Gjermanisë ka bërë që një kamp i dikurshëm ushtarak të jetë sot vendi ku të rinjtë kosovarë do të lidhen me tregun botëror të punës.

“Siç e dini bashkëpunimi i Kosovës dhe Republikës Federale të Gjermanisë ka një histori të gjatë që buron nga lidhjet ndërmjet popujve tanë deri te mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi i pasluftës në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë që ka mundësuar që sot një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në nyjën ndërlidhëse në mes bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare, në mes sistemeve arsimore profesionale dhe kërkimore”.

Kurti ka deklaruar se ky është një hap i madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë duke u orientuar në teknologjinë informative, si pjesë e revolucionit të katërt ekonomik.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës do të kontribuojë në bashkëfinancimin e këtij projekti, që e ka cilësuar të rëndësisë të madhe, në vlerën prej 11,9 milionë eurosh.

“Kemi Prizrenin me një kulturë dhe traditë të lashtë që po i ofrojmë një perspektivë të rinjve mu këtu që të zhvillojnë aftësitë dhe talentet e tyre duke u lidhur përmes këtij parku me tregun dinamik botëror të punës. Qeveria e Gjermanisë dhe Qeveria e Kosovës janë të përkushtuar që në një plan afatmesëm dhe afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë dhe për këtë kemi ndërmarrë veprimet që mundësojnë funksionalizimin e këtij parku, përfshirë këtu vendimin e fundit mbi zotimin për të ndarë tokën e KFOR-it gjerman për Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro-Gjerman. Në frymën e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Qeverinë e Republikës Federale të Gjermanisë kemi besim të plotë mbi menaxhimin e hapësirës nga GIZ-i që besoj se do të kontribuojë në ndërtimin e një parku të vetqëndrueshëm, ndryshe prej çka kemi pasë në Kosovë viteve të fundit”.

“Për shkak se parku paraqet një projekt qeveritar të rëndësisë së madhe parashihet që qeveria jonë të kontribuojë në marrëveshjen e bashkëfinancimit në shumë totale prej 11,9 milionë euro që është në negocim e sipër mes ekipeve tona”.

Në ceremoninë e inaugurimit të pranishëm ishin edhe ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt, Ministrja në detyrë e Arsimit Hykmete Bajrami, ministrja në detyrë e Ekonomisë Rozeta Hajdari, zëvendësministri i Financave dhe Transfereve Ilir Aliu dhe kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka.

Ky projekt është iniciativë e përbashkët e qeverisë kosovare dhe asaj gjermane i zyrtarizuar në një Deklaratë të Përbashkët në vitin 2018 dhe i zbatuar nga Shoqata ITP përmes GIZ-it.

Më pas, shefi i qeverisë në detyrë bashkë me Ministren në detyrë të Arsimit Hykmete Bajrami dhe kryetarin e Prizrenit Mytaher Haskuka e kanë vizituar shkollën “Emin Duraku” ku xhirohen ligjëratat për mësim online në gjuhen turke dhe boshnjake.

Reference: Klan Kosova

Tags