en

Kryeministri në detyrë Albin Kurti, sot inauguroi Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, duke e quajtur hap të madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.

Kurti ishte i shoqëruar nga ambasadori gjerman Christian Heldt, nga ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Rozeta Hajdari si dhe zëvendësministri i Financave dhe Transfereve, Ilir Aliu.

Kryeministri në detyrë u shpreh se parku paraqet një projekt qeveritar të rëndësisë së madhe dhe parashikohet që Qeveria e Kosovës të kontribuoj me marrëveshjen e bashkëfinancimit në shumë prej 11.9 milionë euro që është në negocim e sipër midis dy ekipeve.

“Bashkëpunimi Kosovë-Gjermani ka histori të gjatë që buron që nga lidhjet ndërmjet popujve tanë deri te mbështetja gjermane për çlirimin e Kosovës. Kontributi i pasluftës në ruajtjen e paqes dhe ndërtimin e institucioneve të Kosovës është vlera më e lartë që ka mundësuar që një kamp i dikurshëm ushtarak të shndërrohet në nyje ndërlidhëse ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre ndërkombëtare”, tha Kurti, raporton Telegrafi.

Ai tha se po hedhet një hap i madh në transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë, duke u orientuar në teknologjinë informative.

“Kemi Prizrenin me kulturë dhe traditë të lashtë dhe po u ofrojmë perspektivë të rinjve që të zhvillojnë aftësitë dhe talentin e tyre, duke u ndërlidhur përmes këtij parku me tregun dinamik botëror të punës”, tha kryeministri në detyrë, raporton Telegrafi.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe ajo e Gjermanisë janë të përkushtuar që në një plan afatmesëm dhe afatgjatë të mundësojnë një gjë të tillë.

Kurti tha se në frymën e bashkëpunimin me shtetin gjerman kanë besim të plotë në menaxhimin e hapësirës në Prizren nga GIZ-i, duke besuar se do të kontribuojë në ndërtimin e një parku ndryshe nga ato që kanë qenë viteve të fundit në Kosovë.

“Në këtë park shohim lidhjen e arsimimit cilësor me ekonominë zhvillimore, lidhjen e edukimit bashkëkohor me tregun e punës”, tha ndër të tjera Kurti, duke falënderuar shtetin gjerman për mbështetjen e Kosovës.

Ndryshe, ditë më parë, qeveria mori vendim që sipërfaqja prej 40 hektarësh, ku dikur ishin kazermat e KFOR-it gjerman, tani t’i kalojë në shfrytëzim shoqatës “ITP Prizren”, e cila do ta zhvillojë Parkun gjermano-kosovar të Trajnimit dhe Inovacionit.

Parku do të punojë për zhvillimin ekonomik, ndërmarrësin, arsimin dhe hulumtimin.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet shkencave të aplikuara, teknologjisë, bujqësisë, mjedisit, krijimtarisë e kulturës.  Shoqatën “ITP Prizren” do ta bashkëdrejtojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe të ambasadës gjermane. /Telegrafi/

Reference: https://telegrafi.com/inaugurohet-parku-per-inovacion-dhe-trajnim-ne-prizren-kurti-hap-madh-ne-transformimin-e-ekonomise/?fbclid=IwAR1gP-S11BM7IwQz8bI9oT-5MXcBesgZBOnamHoDDSLJ7Cbtx48LXw_xTHY