en

Qeveria e Kosovës sot ka nënshkruar një deklaratë të qëllimit me Ministrinë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, për shfrytëzimin e mëtejmë të kampit në Prizren si park inovativ dhe trajnues kosovaro- gjerman (ITP).

Deklarata e përbashkët paraqet bazën për vazhdimin e raporteve kosovaro-gjermane pas tërheqjes së KFOR-it gjerman nga kampi në Prizren dhe për prioritizimin e pesë fushave në kuadër të kampit të planifikuar: Inovacioni (teknologjia dhe ndërmarrësia); aftësimi profesional, si dhe edukimi formal dhe jo-formal; shkenca dhe hulumtimi; bujqësia, si dhe turizmi dhe kultura.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se me këtë marrëveshje fillon një etapë e re e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë. Ai ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme nga shteti i Gjermanisë. “Qeveria e Kosovës, sot ka marrë vendim për themelimin e Parkut të përbashkët Kosovar-Gjerman për Inovacion edhe trajnim. Një park dedikuar ekonomisë. Ky park për dy dekada është në shfrytëzim të trupave gjerman të KFOR-it . Me këtë vendim të sotëm me alokimin edhe të tokës për 99 vjet. Është e filluar një etapë e re e bashkëpunimit Kosovë-Gjermani, që e pason periudhën e një bashkëpunimi që ka pasur me trupat gjermane paqeruajtëse në vend . Që tani flamuri i Gjermanisë që ka valuar në bazë ushtarake do ta ketë një mision tjetër atë të prosperitetit të Kosovës të bashkëpunimit të ndërsjellë në të gjitha fushat veçanërisht në atë ekonomik”, tha Haradinaj.

Kryeministri ka thënë se është herët të japë shifra se sa do të kushtojë ky projekt, por e ka cilësuar si një ndër projektet më të mëdha në vend.

“Tani me fol për shifra është herët për me precizua. Por vetvetiu është një ndër projektet më të mëdha që është operuar në Kosovë me këtë raste në bashkëpunim Kosovë-Gjermani. Do të involvojë numër të madh të njerëzve të aktivizimit të tyre, por jo vetëm kaq, aftësimin e plotë të rinjve për plotë profesione të ndryshme veç e veç. Tani bëhet fjalë për fushën e inovacionit të teknologjisë për ndërmarrësin vetë sektori i informimit, arsim, edukim profesional, edukim jo formal, bujqësi, turizëm për krejt sferat ekonomike parashihen aktivitete ose veprimtari si inkubator “, tha Haradinaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, ka thënë se parku do të fillohet të ndërtohet në vitin 2019.

“Me këtë është dhënë një bazë që nga kampi i deritanishëm ushtarak i Prizrenit pas largimit në vitin 2019-të për të quar përpara në një të ardhme të re. Për ta transferuar atë. Ka pasur një studim të fizibilitetit që është realizuar nga GIZ dhe është përfunduar ky studim i është prezantuar qeverisë se Kosovës qëllimi është që pas largimit të KFOR-it gjerman ai kamp të jetë edhe më tutje prezent dhe aktiv me këtë park ne dëshirojmë që të shtjellojmë mundësit për ekonominë për mirëqenien e popullatës dhe me anë të këtij parku të vendosim edhe një ndërtesë në fushën e arsimit dhe disa sektorëve të tjerë të cilat i kemi identifikuar dhe në përgjithësi të kontribuojmë në veçanti për të rinjtë në Kosovë, për të ju krijuar perspektiva atyre këtu. Ky është një projekt i mrekullueshëm të cilin e kanë arritur dhe në të mundësi të punojnë dy vendet tona”, tha Held.

Ky park sipas ambasadorit Held do të shfrytëzohet për shkëmbim mes sektorëve të ndryshëm përmes hulumtimeve arsimimit dhe përdorimit në praktikë, po ashtu edhe inovacionit, i cili do të zbatohet në fusha të ndryshme.

Reference: https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=249747