en

BERLIN, 4 tetor /ATSH-DPA/ – Një ish-kamp ushtarak gjerman në Kosovë do të transformohet në një park inovacioni dhe edukimi.

Pasi Bundesvehri gjerman të mbyllë misionin si pjesë e KFOR-it në Kosovë dhe të largojë trupat nga kampi në qytetin e Prizrenit në muajin dhjetor, qeveria gjermane dhe ajo kosovare kanë rënë dakord për shfrytëzimin e kësaj hapësire për qëllime zhvillimi, deklaroi Ministria Federale e Zhvillimit gjatë prezantimit zyrtar të projektit sot në Berlin.

“Në bashkëpunim me biznesin, Gjermania po krijon perspektivë më të mirë për popullin e Kosovës përmes trajnimit profesional, inovacionit dhe vendeve të kualifikuara të punës”, deklaroi Ministri Federal për Zhvillim, Gerd Mueller.

“Transformimi i kampit ushtarak në Prizren tregon se si politikat e zhvillimit dhe sigurisë shkojnë krahas njëra-tjetrës për të kontribouar në zhvillimin e Kosovës”, shtoi ai.

Bundesvehri ka ngritur 60 ndërtesa brenda kampit.

Kompanitë në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, bujqësisë dhe kulturës do të renditet të parat për projekte brenda parkut, bëri të ditur Ministria.

Një spital i vjetër gjithashtu pritet të rindërtohet dhe shfrytëzohet për edukim në fushën e shëndetësisë.

Zyrtarë të Ministrisë së Zhvillimit pritet të udhëtojnë sot drejt Prizrenit.